Trump e thumbon, Schwarzenegger: Ndërrojmë vendet bashkë

03.02.2017 20:27:21

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka thumbuar shpesh aktorin e Hollivudit dhe ish-Guvernatorin e Kalifornisë, Arnold Schëarzenegger, që i zuri vendin në rolin e drejtuesit të emisionit të televizionit NBC, “The Apprentice”.

Trump ishte drejtuesi i serisë televizive për 14 sezonet e saj të para dhe pastaj u tërhoq kur vendosi të kandidojë për president. Duke folur në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve dje, zoti Trump tha përsëri se shikueshmëria e programit ka rënë që kur ai iku dhe se do të donte të lutej për drejtuesin e ri.

“Ne patëm një sukses të jashtëzakonshëm me ‘Apprentice’ dhe kur unë kandidova për president, mu desh ta lija emisionin. Ai ishte momenti kur e kuptova që do të kandidoja patjetër. Një yll i madh kinemaje, Arnold Schwarzenegger u zgjodh që të zinte vendin tim. Dhe ne e dimë rezultatin. Shikueshmëria ra ndjeshëm. Është katastrofë. Prandaj, a mund të lutemi për Arnoldin, që t’i rritet audienca?”- u shpreh Trump gjatë mëngjesit të lutjeve.

Nuk ishte hera e parë që Donald Trumpi fliste për rënien e audiencës së emisonit. Në rastet e mëparshme, zoti Schwarzenegger kishte reaguar miqësisht në Twitter. Por dje, ai postoi një videomesazh plot sarkazëm në Twitter, drejtuar presidentit.

“Donald, kam një ide fantastike. A t’i shkëmbejmë vendet? Ti merr në dorë emisionin, meqë je ekspert për të rritur audiencat dhe unë zë vendin tënd. Kështu njerëzit do të flenë më në fund të qetë. Si thua?”