Trump e zbulon letrën e Putinit, kërkohet “nivel i ri” i bashkëpunimit

23.12.2016 18:19:39

Presidenti rus, Vladimir Putin, në letrën e dërguar gjatë këtij muaji presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, kërkon bashkëpunim bilateral dhe “nivel të ri” në marrëdhëniet SHBA – Rusi.

Lajmi i publikuar nga Reuters thotë se një kopje e letrës është publikuar nga ekipi i Trump, më 23 dhjetor.

“Shpresoj që… ne do të kemi mundësi – në mënyrë konstruktive dhe pragmatike – të ndërmarrim hapa të vërtetë drejtë përmirësimit të kornizës së bashkëpunimit bilateral në disa fusha si dhe ngritjen e bashkëpunimit në skenën ndërkombëtare në një nivel të ri kualitativ”, ka shkruar Putin në letrën e 15 dhjetorit, sipas ekipit të Trump.

Presidenti i zgjedhur amerikan, përmes një komunikate të publikuar krahas letrës në fjalë, ka thënë se ai shpreson që të dyja shtetet mund të “arrijnë këto qëndrime” se sa të detyrohen të “gjejnë rrugë alternative”.