Trump mohon të jetë shantazhuar nga Rusia

11.01.2017 18:13:14

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj akuzave se Rusia ka materiale kompromentuese ndaj tij, duke u shprehur se Moska “nuk është përpjekur kurrë të më shantazhojë”.

Trump dënoi agjencitë amerikane të inteligjencës për lejimin e “rrjedhjes” në publik “të lajmeve të rreme”, duke shtruar pyetjen: “Mos po jetojmë në Gjermaninë naziste?”.

Në dokumentet e cituara nga mediat amerikane thuhet se përfaqësuesit e fushatës zgjedhore të Trump komunikuan me Moskën dhe sugjerojnë gjithashtu përdorimin e prostitutave.

Këto pretendime u mohuan kategorikisht edhe nga Rusia, transmeton tvklan.

Në konferencën e tij të parë për shtyp këtë të mërkurë, që prej zgjedhjes si president, Trump tha se pretendimet në fjalë “nuk duhet të ishin shkruar dhe nuk duhet të ishin publikuar kurrë”.

“Janë të gjitha lajme të rreme, biseda telefonash, nuk ka ndodhur”, tha ai duke theksuar se pas këtyre informacioneve qëndrojnë njerëz të “sëmurë”.

Donald Trump falënderoi ato agjenci lajmesh që nuk i publikuan këto pretendime, që qarkullonin prej muajsh.

Ai tha gjithashtu se kjo do të ishte një goditje tepër e rëndë për agjencitë e inteligjencës, nëse këto të fundit rezultojnë përgjegjëse për publikimin e këtyre materialeve.