Trump mund të braktis marrëveshjen bërthamore me Iranin

06.10.2017 19:08:23

Vendimi do të merret deri më 15 tetor

Presidenti amerikan Donald Trump, sipas mediave amerikane, mund të braktisë marrëveshjen bërthamore me Iranin. Nëse shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e garanton marrëveshjen, atëherë Kongresit do t’i duhet të rivendosë sanksionet ekonomike ndaj Iranit.

Trump ka kohë deri në 15 tetor për të marrë një vendim. Kundërshtia e marrëveshjes ka qënë një prej zotimeve kryesore të tij gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar. Duke pozuar për fotografët me liderët ushtarakë të enjten, presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se kjo është “qetësia para stuhisë”, pa dhënë detaje të mëtejshme, por mjaftueshëm sa për të ngritur pyetjen se çfarë nënkuptonte me këtë pohim, duke u hapur kështu rrugë spekulimeve.

Një pjesë e raporteve në shtypin vendas i lidhën komentet e presidentit me tensionet e raporteve të ndezura me Korenë e Veriut, por New York Times shkruan se persona të informuar shkurtimisht mbi cështjen kanë bindjen që bëhet fjalë për Iranin.

Përpara se të lëshonte bombën e radhës, Trump u kishte komunikuar zyrtarëve më të lartë të mbrojtjes se priste prej tyre që në të ardhmen të garantojnë një gamë të gjerë opsionesh ushtarake me një ritëm shumë më të shpejtë se aktualisht. Rusia këmbëngul se marrëveshja duhet mbrojtur.

“Shpresojmë që kontaktet e vazhdueshme mes vendeve evropiane dhe pjestarëve të tjerë të komunitetit ndërkombëtar me Washingtonin në lidhje me këtë çështje të mos kenë qënë të kota, dhe që vendimi final i presidentit amerikan të jetë i balancuar dhe i mbështetur mbi realitetin”, tha Sergej Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.

Teherani këmbëngul se marrëveshja nuk është e negociueshme, por thotë se ajo mund të shpëtohet nëse partnerët e tjerë, Franca, Gjermania, Kina, Rusia dhe Britania zgjedhin të mos tërhiqen.