“Cilido që të jetë verdikti, kjo votë” e Parlamentit Europian mbi ngrirjen e bisedimeve të aderimit mes BE-së dhe Turqisë, “për ne nuk ka asnjë vlerë”. Kështu është shprehur gjatë një diskutimi në Stamboll presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili është kthyer të kritikojë Bashkimin Europian edhe për një mbështetje të mundshme ndaj “terroristëve” të rrjetit të Fetullah Gylenit dhe Partisë Punëtore të Kurdistanit. “Do të mbajmë hapur lidhjen e negociatave me Turqinë”, – ka thënë Angela Merkel.
“E kemi sqaruar disa herë që jemi pranë vlerave evropiane më shumë se disa vende të BE-së, por nuk kemi parë mbështetje konkrete të miqve perëndimorë. Asnjë premtim nuk është mbajtur”, – ka vazhduar Erdogan. Të enjten, Parlamenti Europian do të votojë një rezolutë mbi gjendjen e hyrjes së Turqisë në bllokun komunitar.
Shtete të ndryshme të BE-së, kanë kërkuar bllokimin e bisedimeve për shkak të masave të ndërmarra nga Ankaraja pas grushtit të dështuar të shtetit. Sa i takon terrorizimit, presidenti turk ka akuzuar sërish Europën se është kontradiktore. “Nga njëra anë e deklaron PPK-në organizatë terroriste, nga ana tjetër keni terroristë që lëvizin lirshëm në rrugët e Brukselit. Çfarë ndershmërie është kjo?”.








































