Turqi, konfiskohen miliona lira në kuadër të hetimeve kundër FETO-s

03.08.2016 20:02:22
Policia e Stambollit ka konfiskuar shuma milionëshe të lirave turke gjatë bastisjeve në kuadër të hetimit kundër organizatës Fetullahçi (FETO).
Sipas burimeve policore të cilat kanë folur në kushte anonimiteti, zyrtarët policorë nga Departamenti kundër trafikimit dhe krimit të organizuar kanë bastisur disa adresa në pjesë të ndryshme të qytetit.

Gjatë operacionit në fjalë policia ka konfiskuar 3.5 milionë lira (rrreth 1.16 milionë dollarë), 50 milionë në çeqe (16.5 milionë dollarë), dokumente të ndryshme të organizatës dhe monedha prej një dollari amerikan me numër serik F për të cilat besohet se kanë qenë dëshmi e anëtarësimit të tyre në FETO.

Së paku 11 përsona, përfshirë udhëheqësin kryesor të mbledhjes së fondeve janë arrestuar gjatë bastisjeve.

Të dyshuarit akuzohen për lidhje me organizatën në fjalë.

“Besohet se paratë janë mbledhur përmes donacioneve bamirëse nga ndjekësit e Gylenit”, thotë burimi në fjalë.

Qeveria turke vazhdimisht ka përsëritur se tentativa vdekjeprurëse e 15 korrikut për grusht shteti, në të cilin ranë dëshmorë të paktën 238 persona u organizua nga pasuesit e predikuesit me vendqëndrim në SHBA, Fethullah Gylen.

Gylen është akuzuar gjithashtu për zbatimin e një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin nëpërmjet infiltrimit të njerëzve të tij në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor duke formuar atë që njihet si “shtet paralel”.