Turqia dëbon 50.000 emigrantë nga Stambolli

16.11.2019 13:38:01

Turqia njoftoi se ka dëbuar rreth 50.000 emigrantë nga Stambolli, që nga fillimi i një fushate kundër migracionit të paligjshëm.

Zyra e guvernatorit të Stambollit tha se 42.888 emigrantë “të paligjshëm” ishin arrestuar dhe dërguar në qendrat e riatdhesimit, me qëllim largimin e tyre nga Turqia. Në njoftim nuk u bë e ditur kombësia e tyre. Mirëpo raportohet se 6.416 sirianë ishin vendosur në “qendra të përkohshme strehimi”

Fushata e autoriteteve turke kishte për qëllim zvogëlimin e numrit të refugjatëve të paregjistruar në Stamboll, që njihet si qendër ekonomike dhe qyteti më i madh i Turqisë.

Në Turqi janë rreth 3.6 milion refugjatë sirianë, megjithëse teknikisht ata janë vetëm nën “mbrojtje të përkohshme”, sepse qeveria nuk u ofron atyre statusin e refugjatit zyrtar.

Sipas rregullave, ata duhet të qëndrojnë në provincën në të cilën u është caktuar, dhe mund të vizitojnë qytete të tjera vetëm me afate të shkurtra, raporton AFP. Zyrtarët thanë në korrik se 547,000 sirianë ishin regjistruar zyrtarisht në Stamboll.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, tha se qëllimi i autoriteteve turke ishte të dëbonin rreth 80.000 emigrantë pa dokumente deri në fund të vitit.