Turqia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO

18.06.2017 19:11:15
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushoglu, i cili zhvilloi sot një vizitë zyrtare njëditore në Maqedoni, pas takimit me homologun maqedonas, Nikolla Dimitrov deklaroi se në hapësirat e Ballkanit, por edhe më gjerë Maqedonia është mjaft e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin, njoftoi agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA).

“Turqia do të jetë gjithmonë në mbështetje të Maqedonisë”, theksoi Çavushoglu duke i uruar suksese në punë homologut të tij.

“Gjatë 25 viteve të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve janë bërë hapa të rëndësishme dhe përparime si në marrëdhëniet politike, ashtu edhe në fusha të tjera”, shtoi ai.

“Në hapësirat e Ballkanit, por edhe më gjerë, Maqedonia është mjaft e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin. Me Maqedoninë kemi 460 milionë dollarë shkëmbim tregtar, ndërsa investimet turke në këtë shtet arrijnë dy miliardë dollarë, por potencialet tona janë shumë më të mëdha”, nënvizoi Çavushoglu.

Çavushoglu iu referua edhe bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Turqisë në plan ndërkombëtar, duke theksuar se Turqia në çdo fushë e mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë, veçanërisht në rrugën e anëtarësimin në BE dhe NATO.

“Turqia e mbështet Maqedoninë në çdo fushë dhe do të vazhdojë ta mbështesë edhe në të ardhmen. Maqedonia meriton integrimin në Bashkimin Evropian. Me çështje artificiale të tilla si çështja e emrit, i bëhet padrejtësi e madhe Maqedonisë. Në mënyrën më të fortë të mundshme do të përkrahim anëtarësimin në NATO dhe do të nxisim vendet të bashkëpunojnë. Siguria në Evropë varet nga Turqia dhe Ballkani Perëndimor”, deklaroi Çavushoglu.

Ndër të tjera, shefi i diplomacisë turke theksoi se komuniteti turk në Maqedoni është një urë e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe.