Basha: Plani im ekonomik funksionon, shqiptarët do t’i ndjejnë efektet menjëherë

18.06.2017 19:04:29

Lulzim Basha është takuar sot me banorë të Laprakës, të Paskuqanit, dhe Njësisë 4, në Tiranë. Basha u ka shpjeguar qytetarëve planin e tij ekonomik që ul taksat, lehtëson biznesin, që shton paratë në xhepat e shqiptarëve, rrit konsumin e prodhimin. Plan që hap vende të reja pune.

“Me uljen e taksave, me uljen e çmimit të energjisë, me uljen e çmimit të naftës, do të mundësojmë kushte më të mira për biznesin. Pullën fiskale do ta vendosim pasi të paguani detyrimin që është maksimumi 1.5% e xhiros për biznesin e vogël. Është model ekonomik që funksionon në Europë, do të funksionojë edhe këtu”, tha Basha.

“500 mijë lek gjobë për një vetë të punësuar”, u ankua një tregtar.

“Dhe këtej thotë, biznesit ia kam heq taksat. I ka heq vizën jo taksat”, thotë Basha, duke shtuar se ndryshimi që presin shqiptarët po vjen, dhe ndryshimi që pret bota, sepse edhe bota pret ndryshimin.

Në Njësinë 4 në Tiranë, Basha dëgjon ankesat e biznesit të vogël, si dhe u demonstron pullën fiskale, që dëshmon shlyerjen e detyrimit, cka do të mbajë larg tatimorët dhe hajdutët e shtetit që vendosin gjoba.

Qytetarët të gjithë ankohen që nuk ka punë, nuk ka lekë.

Lulzim Basha e siguron një maturante që ëndërron të studiojë për mjekësi, që tarifat e universitetit do të ulen. “Do ta bëjmë më të lehtë të futesh në studime dhe më të lehtë që pas kësaj të gjesh vend pune. Voto nr 6, Republikën e Re”, tha Basha.

Në Paskuqan, Basha shpjegoi planin e tij për fermerët. “Për fermerët kemi një plan me 100 milionë euro subvencion në vit që është praktikë europiane dhe nuk e kemi shpikur ne. Ti japim dorën të futen në treg, se ata janë jashtë tregut. Konkurrencës së pandershme dhe mos subvencionimit do ti japim fund”, tha Basha.