Tuzi-komunë, më 2018?

Nikollë Camaj

Ditë më parë, Qeveria e Malit të Zi përkrahu ligjet, me të cilat parashihet që Tuzi të bëhet komunë e plotë, por me kusht që implementimi të fillojë nga 01 shtatori 2018. Sikur të mos e dinim se kemi punë me mashtrues të dëshmuar, ndoshta edhe do të besonim. Madje, nëse është pritur pothuaj një shekull, s’është gjë e madhe që komuna e plotë, dhe e pavarur, të pritet edhe një vit. Por, se është fjala edhe për një mashtrim të ri dhe shantazh, flet edhe fakti se banorët e Malësisë, për këtë “dhuratë”, do të duhet t’i shërbejnë “prijësit” dhe t’a përkrahin në zgjedhjet e ardhshme të Kryeqytetit, në zgjedhjet presidenciale, e sipas të gjitha gjasave edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Tejet nënçmuese për “negociatorët tonë”, dhe jo vetëm për ta. E gjithë kjo është, më së buti të thuhet, jokorrekte, dhe dëshmi tejet perfide, për t’i përulur edhe njëherë qytetarët e Malësisë. Së pari përkrahja, e pastaj të shohim! Ndoshta dikush përsëri do të na e rikujtojë se, siç kanë thënë më parë, “më për zemre e kanë komunën e Kryeqytetit”. Është çështje interesante, por po aq edhe paradoksale, se nuk dihet fati i Ligjit mbi kryeqytetin. A do të implementohet në frymën e përgatitjeve për ndërrim të statutit dhe të statusit, me kohëzgjatje deri me 01 shtator 2018, apo do të suspendohet menjëherë, sapo të aprovohen ligjet e reja në Kuvend, kuptohet, nëse ato aprovohen, dhe Tuzi deri atëherë, të mbetet Komunë urbane. Me propozim ligjet e reja, kjo nuk sqarohet sa duhet. E që dyshimi, në të gjithë këtë, të jetë edhe më i madh, i shkon në favor edhe fakti se nuk vërehet të ketë ndryshime në pjesën ku parashihen kushtet për formimin e komunave të reja. Aty flitet vetëm për heqjen e pikës 8, në nenin 16, edhe pse neni 16 i Ligjit mbi ndarjen territoriale të Malit të Zi, ka vetëm 7 pika (shih Ligjin më poshtë). Sikur të mos e dinim se me çfarë dinakësh kemi punë, do të mendonim se ky është vetëm një lëshim. Është interesant të ceket edhe një “lëshim” tjetër. Në asnjë nga tekstet promovuese të këtyre ndryshimeve (fjala është vetëm për “negociatorët tonë”, sepse asnjë tekst promovues nuk lexuam as nga UDSH, as nga PDS, e sidomos jo nga boshnjakët), nëpër media e portale në gjuhën shqipe, nuk është publikuar data e fillimit të implementimit, pra 01 shtatori 2018. Si duket, kjo është pjesa që ua ka prishë paksa imazhin e kënaqësisë me të arriturat. Besoj se edhe ata janë të vetëdijshëm se për një farë hilet është bërë edhe kjo, prandaj kanë tentuar ta heshtin. Kështu që nuk besojmë se ka vend për ndonjë eufori, sidomos jo për ata që nuk duan të jenë pjesëmarrës në mashtrim.
Prandaj, në vend se të bëhemi bashkë-mashtrues, ne edhe tutje përkrahjen tonë do t’a derejtojmë ka qytetarët e Malësisë, në tentativë që me “dyshimet” tona të ndikojmë në përmirësimin e pozicioneve nogociuese, të atyre që janë në situatë të veprojnë. Po të mos kishim këtë rrol, edhe në të kaluarën, edhe ne do të kishim përkrahur statusin e Tuzit si komunë e Podgoricës, siç e përkrahën aso kohe të tjerët. Siç dihet, edhe pjesa që po promovon sot këtë zgjidhje, asokohe e kishte promovuar me gjithë zemër eksperimentin e ri, kurse ne na kishte quajtur tradhëtarë, për shkak se nuk e nënshkruam, edhepse më vonë nuk e nënshkruan as ata vet?! Pra, sikur ta nënshkruanim statusin që e promovonte me të madhe pala që na akuzoi për tradhëti, sot as nuk do të flitej për këtë që po flasim. Pra, del si e nevojshme që të vazhdohet me kontrollin e qefeve politike të gruapcionit i cili “ka marrë përgjegjësi”, por i cili, pa kontrollin e presionin, që deri më sot erdhi vetëm nga Lidhja dermokratike, kaherë e kishte përfunduar punën, me eksperimentin e quajtur komunë e Kryeqytetit (Podgoricës).
Prandaj, na edhe tutje do të kundërshtojmë pazardhëqet politike, në dëm të statusit. Por, do të gëzohemi, dhe bashk me ta, e me të gjithë banorët e Malësisë, do të ndajmë gëzimin, vetëm atëherë kur pala malazeze të tregojë respektin që e meritojnë banorët e Malësisë, pa shantazhe e kushtëzime, kur komuna e Malësisë të jetë në kapacitet të plotë, pa hile e data rezervë, në krejt territorin e sajë, dhe me administratë të vyeshme, e cila flet edhe shqip, dhe e cila i respekton qytetarët e vet dhe mjetet e tyre. Deri atëherë ne nuk do të jemi të kënaqur dhe nuk do të heshtim. Por më së pari të shohim se çka, për të gjitha këto, do të thonë deputetët.
25 mars 2017
Në emër të Lidhja Demokratike, Nikollë Camaj
PS
Në foto-albumin e statusit keni dy propozim-ligjet që i miratoi Qeveria, dhe pjesë nga Ligji mbi ndarjen territoriale të Malit të Zi, së bashku me nenin 16.