U kapën me para droge në makinë, arrestohet çifti shqiptar në Angli

01.08.2016 22:09:11

Vladimir CahaniPolicia angleze ka arrestuar një çift shqiptarësh pas një kontrolli rutinë në makinën e tyre. Sipas mediave vendase, 33-vjeçari Vladimir Cahani, u ndalua në Folkestone të Anglisë me më shumë se 128 mijë euro të fshehura në makinën e tij tip “Audi” në 4 të mëngjesit.

Fillimisht shqiptari ka mohuar fshehjen e pasurisë kriminale, por pastaj policët gjeten një foto në celularin e tij, ku ndodhej me një bluzë sportive duke mbajtur në duar një tufë parash.

Ndërkohë një juri në Gjykatën Canterbury Crown dëgjoi se si ai dhe bashkëshortja e tij Ardita, kishin përdorur fëmijën e tyre 9-muajsh si kamuflim për të nxjerrë paratë e drogës nga vendi.

Mediat angleze shkruajnë se, “tani çifti Cahani janë shpallur fajtorë për fshehjen e pasurisë kriminale dhe do të përballen me dënime të gjata me burg”.

Ato shtojnë se gjykatësi urdhëroi që dënimi të kryhet në shtator, por vendosi që Vladimiri të mbahet që tani në burg pasi mund të largohet jashtë vendit.

Për sa i përket bashkëshortes së tij 26-vjeçare Ardita, mori dënim me kusht. “Çifti po udhëtonte nga Folkestone kur policia kufitare bëri një kontroll rutinë në Cheriton. Në pjesën e poshtme të “Audit” të tyre të kuq, policia gjeti disa pako të mbyllura me skoç me 128 mijë euro brenda, që kishin lidhje me dy kontrabandistë të tjerë shqiptarë të drogës Lutfi Muja dhe Urim Bardoshi, i cili më vonë pranoi se po përpiqej të sillte 1 kg kokaine në Mbretërinë e Bashkuar”, shkruajnë mediat në Angli.

Ndërkohë avokatja e Vladimirit, i kërkoi gjykatës të tregohej e mëshirshme me të pasi muajin e ardhshëm lindte djali i tij. Por gjykata mohoi kërkesën duke thënë se Vladimiri ishte i lidhur me krimin e organizuar dhe duhet të konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.