U mbajt Kuvendi i punës së degës së LDK-së në Drenas

22.07.2017 17:18:51

Sot është mbajtur një Kuvend pune i degës së LDK-së në Drenas lidhur me gjendjen në këtë degë, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në këtë komunë, si dhe lidhur me përgatitjet për zgjedhjet lokale në tetor të këtij viti.

Delegatët e këtij Kuvendi i kanë dhënë mbështetje të plotë kryetarit Mustafa dhe Kryesisë qendrore lidhur me qëndrimin kundër koalicionit PAN dhe çdo koalicioni ku është PDK.

Lidhur me punimet e këtij Kuvendi, kryesuesi i Kuendit të degës së LDK-së në Drenas, z. Smajl Gashi ka lëshuar një Komunikatë për medie, në të cilën thuhet:

Me kërkesën e dy të tretave të delegatëve të Kuvendit të Degës, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Drenas, sot ka zhvilluar një Kuvend pune për të analizuar mbarëvajtjen dhe funksionimin e kësaj dege. Delegatët e Kuvendit kanë debatuar dhe kanë kërkuar nga kryetari i degës që të raportojë para Kuvendit për punën dyvjeçare, raportin financiar, raportin dhe analizën e rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të vitit 2016 dhe zgjedhjet nacionale 2017. Përkundër njoftimit me kohë dhe njohjen me rendin e ditës, kryetari i Degës, Bedri Nika, ka injoruar pjesëmarrjen në punimet e kuvendit.
Me theks të veçantë është diskutuar edhe funksionimi i degës së LDK-së me strukturat në terren.
Delegatët e Kuvendit kanë adresuar shumë probleme në funksionimin e Degës, në veçanti rezultati i dobët në zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e fundit nacionale.
Kritika të ashpra janë drejtuar tek kryetari Degës për mosbashkëpunim me nëndegët dhe injorimi i tij ndaj strukturave të LDK-së për të reflektuar lidhur me parregullsitë dhe të raportojë para zgjedhësve të tij.
Bazuar në gjendjen jo të mirë të Degës delegatët e Kuvendit, kanë autorizuar një Komision prej 6 anëtarësh nga Kryesia dhe Kuvendi i degës që të adresojë problemet e degës në Kryesinë Qendrore në Prishtinë. Ata kanë kërkuar nga komisioni i autorizuar që Kryesia në Prishtinë të marrë të gjitha masat në harmoni me dispozitat normative e statutare të partisë për të sanuar gjendjen në Degë dhe të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Në të kundërtën, Kuvendi brenda dy javësh do të mblidhet përsëri dhe do të marrë vendime tjera konform statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kuvendi po ashtu i jep mbështetje kryesisë qendrore dhe kryetarit Mustafa lidhur me refuzimin e koalicionit me PAN-in, si dhe shpreh indinjatën lidhur me dezinformatat e përhapura se gjoja ky Kuvend pune është kundër Kryesisë Qendrore. Qëllimi final i këtij Kuvendi është funksionalizimi i Degës dhe përgatitjet sa më të mira për zgjedhjet lokale.
KRYESUESI I KUVENDIT
Smajl Gashi – nënkryetar i degës