Udhëheqësit gjermanë me kërkesë ndaj qytetarëve: Qëndroni në shtëpi

16.03.2020 23:06:48

Udhëheqësit gjermanë të hënën u kërkuan qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, për të reduktuar përhapjen e coronavirusit.

Sipas mediave të huaja kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri thirrje qytetarëve të anulojnë çdo udhëtim brenda dhe jashtë vendit, ndërsa presidenti Frank-Walter Steinmeier u tha njerëzve të qëndrojnë në shtëpi.

Qeveria ndaloi mbledhjet në kisha, xhami dhe sinagogë, kurse urdhëroi mbylljen e dyqaneve jo thelbësore, si dhe hapësirave të lojërave.

Numri i rasteve nga coronavirusi në Gjermani ka shkuar në 6,012 të hënën, një rritje prej 1,174 brenda 24 orëve, sipas raportit të publikuar në faqen e internetit të agjencisë së kontrollit të sëmundjeve Robert Koch Institute.

Deri më tani vendi ka pasur 16 viktima nga ky virus.

Në një konferencë për shtyp në Berlin, Merkel ka thënë se në këto masa nuk duhet të ketë ndonjë udhëtim brenda vendit apo jashtë tij.

“Asnjëherë nuk ka pasur këso lloj masash më parë, këto janë të nevojshme për vendin tonë”, ka thënë Merkel.

Ndërkohë, Steinmeier u bëri thirrje gjermanëve që të punojnë së bashku për t’u siguruar që përhapja e virusit të reduktohet sa më shumë.

“Pra, kudo që të jetë e mundur, qëndroni në shtëpi! Shmangni kontaktin e ngushtë,dhe keni mirëkuptim për të gjitha masat kufizuese”, tha ai në një deklaratë.

Në këto masa parashihen kufizimet e kontakteve sociale në vendet publike, përfshirë muzetë, pishinat dhe palestrat, ndërsa supermarketet, bankat, zyrat postare, barnatoret dhe stacionet e benzinës do të qëndrojnë të hapura.

Sallonet e bukurisë, dyqanet e furnizimit të ndërtimeve dhe lavanderitë gjithashtu do të vazhdojnë të funksionojnë, ndërsa restorantet dhe kafenetë do të qëndrojnë të hapura, deri në orën 18:00.

Hotelet do të përdoren vetëm për qëllime thelbësore dhe jo për qëllime turistike, deklaroi qeveria.

Autoritetet në Gjermani kishin urdhëruar javën e kaluar që shkollat ​​të mbyllen, dhe trenat rajonalë të kufizohen, ndërsa nga e hëna ri-prezantoi kontrollet në kufijtë e saj me Austrinë, Francën, Zvicrën, Luksemburgun dhe Danimarkën, kurse hyrja i lejohet vetëm personave me nevoja esenciale.