Udinese thyen Interin, Napoli merr kryesimin, Hamsik kap Maradonën

17.12.2017 09:37:58

Duhej të vinte java e 17-të e Serisë A që Interi të pësonte humbjen e parë në kampionat. Udinese theu “mitin” zikaltër që kishte ndërtuar Luciano Spalletti në këtë sezon me një fitore me shifrat 3-1 brenda në San Siro.

Për Massimo Oddon kjo ishte fitorja e 4-t në stolin e bardhezinjëve nga Friuli në po aq takime në të gjitha kompeticionet. Interi luajti vetëm për një pjesë loje sepse më pas zikaltërve u mbaruan energjitë me Udinesen që bëri ligjin në La Scalan e futbollit, stadiumin mitik San Siro. Në minutën e 14-të pas një gabimi të Santon që në markim Lasagna i shpëtoi mbulimit të Mirandës duke ndëshkuar, Handanovic.

Por nuk kaluan shumë sekonda dhe milanezët gjetën golin e barazimit me kapitenin Icardi që shfrytëzoi krosimin perfekt të Candrevës. Minutat e mbetura të pjesës së parë floën të gjitha për Interin por portieri Bizarri dhe pasaktësia e lojtarëve zikaltër në finalizim bëri që në pushim dy skuadrat të shkonin në barazim 1-1. Në pjesën skuadra e Spallettit e uli shumë ritmin dhe pas një gabimi tjetër të Santon që ndali me dorë një krosim të Widmer gjyqtari Mariani me ndërhyrjen e VAR, akordoi 11-metërsh për miqtë, penallti që u kthye në gol nga De Paul. Në minutën 77-të Barak shuajti shpresat e vendasve për të dalë me pikë nga kjo sfidë me golin e 1-3 që solli edhe humbjen e parë të Interit në Serinë A. Të kota përpjekjet e zikaltërve për të bërë diçka deri në fund pasi Udinese u mbrojt mirë duke ruajtur avantazhin e dy golave dhe duke u larguar me 3 pikë nga San Siro.

Gabon Interi nuk fal Napoli. Të kaltrit e shfrytëzuan në maksimum gabimin e skuadrës së Spallettit pasi arritën të fitonin në një transfertë të vështirë në Olimpico të Torinos ndaj skuadrës së Mihajlovic me rezultatin 3-1. Gjithçka e lehtë për Napolin me skuadrën e Sarrit që zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë me tre gola të shpejtë.

Një fitore që rikthehu Napolin në krye të klasifikimit me të kaltrit që për të paktën 1 javë tashmë do të kryesojnë të vetëm dhe kanë shanse të shkëlqyera për t’u shpallur kampionë dimri. Serinë e golave e hapi mbrojtësi Koulibaly në minutën e 4-t ndërsa Zielinski dhe Hamsik në gjysmë oren e parë e çuan rezultatin në 0-3.

Për sllovakun ky ishte goli i 115-të në karrierë me fanellën e Napolit, me Hamsik që hyri në histori pasi barazoi Diego Armando Maradonën në krye të listës së golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave te skuadra jugore. Golin e nderit për Torinon që u rikthye me këmbë në tokë pas fitores ndaj Lazios e realizoi Belotti në minutën e 65-të. Pas 17 javëve të para Napoli kryeson Serinë A me 42 pikë, 2 më shumë se Interi.