Uiversiteti i Prishtinës, gati për fillimin e vitit të ri akademik (Video)

24.09.2016 11:40:41

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është gati për të filluar vitin e ri akademik 2016/17, duke i përmbyllur edhe përgatitjet përfundimtare siç është konkursi për regjistrim të studentëve në nivelin master të studimeve në këtë universitet.

Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, i cili njëherit është edhe zëdhënës i UP-së, Afrim Hoti, ka thënë për KosovaPress se regjistrimet në nivelin bachelor kanë përfunduar duke e përfshirë edhe afatin plotësues të regjistrimit, kurse procesi po vazhdon me nivelin master dhe atë të doktoratës, të cilat, sipas tij, në javën e parë të tetorit do të përmbyllen.

“Tash jemi në përfundim e sipër për faktin që afati i dytë i studentëve të nivelit bachelor është në përfundim e sipër, në vendet ku kemi pasur vende të lira ose që kanë mbetur vende të lira tashmë po kompletohet numri. Sot e nesër normalisht do të merremi me ankesat eventuale të kandidatëve që vijnë nga niveli bachelor, ata të cilët eventualisht nuk kanë treguar sukses dhe ne presim që gjatë kësaj jave ta përmbyllim përfundimisht periudhën e regjistrimit të nivelit bachelor. Me studimet master në të njëjtën kohë e kemi hapur ashtu siç e kemi pas të paraparë konkursin, sot është hap konkursi dhe do të mbetet i hapur deri më datën 30 shtator, më datën 3 dhe 4 do të organizojmë provimet pranuese dhe brenda javës së parë të tetorit ne do ta përmbyllim edhe numrin e kandidatëve në studimet master. Në të njëjtën kohë po vazhdohet edhe me procedura tjera për përzgjedhjen e kandidatëve në studimet e doktoratës dhe ne shpresojmë që në javën e parë të muajit tetor të fillojmë me ligjërata dhe me vitin akademik në të tria nivelet”, është shprehur Hoti.