UP: Heqja e flamurit kombëtar ka qenë veprim aksidental i zyrtares së arkës

06.05.2017 15:43:32

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka sqaruar heqjen e flamurit kombëtar nga salla e senatit në Rektoratin e UP-së, duke thënë se ka qenë një veprim aksidental dhe i paqëllimshëm.

UP, nëpërmjet një komunikate thotë se si pasojë e një veprimi aksidental dhe të marrë në mënyrë vetjake, pa u konsultuar me asnjë anëtar të Menaxhmentit të UP-së, nga zyrtarja e arkës, Zelfije Abdyli,”vatra kryesore e dijës në këtë vend po përballet me akuza të rënda dhe keqinterpretim veprimi nga disa medie dhe individë të caktuar”.

“Përkundër këtij rasti tërësisht të paqëllimshëm, u sigurojmë që Menaxhmeti i UP-së e ka trajtuar këtë rast dhe ka marrë masat e duhura në lidhje me të. Në anën tjetër, Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ndjehet i fyer nga këto akuza në lidhje me pretendimin për heqje të qëllimshme të flamurit Kombëtar, kur dihet që këtë simbol të shenjtë shtetëror e mban me krenari në zyrën e tij rektori Marjan Dema, si dhe ky flamur simbol i lirisë kombëtare valëvitet në secilën pjesë të kampusit të Universitetit më të vjetër në vend”, thuhet në sqarimin e UP-së.