UP nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Institutin ATOMI

13.11.2017 10:02:40

Sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet mes Universitetit të Prishtinës dhe Institutit Ndërkombëtar për Inteligjencë të Jashtëzakonshme “ATOMI”.

Rektori Marjan Dema përgëzoi anëtarin e bordit drejtues të këtij Instituti, Jusuf Thaci, për punën që kanë bërë në ngritjen tutje të këtij Instituti.

Dema shprehu gjithë vullnetin e tij për jetësimin e objektivave që ai parasheh.

Në anën tjetër, Thaci nga Instituti ATOMI shprehi gatishmërinë e ATOMI-t për bashkëpunim me UP-në.

Ai u shpreh shumë i lumtur me vazhdimin e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës.

Ky Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi, i lidhur ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Institutit Ndërkombëtar për Inteligjencë të Jashtëzakonshme ATOMI, u nënshkrua me qëllim të krijimit dhe zhvillimit të bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve, në funksion të përkrahjes së personave me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Republikën e Kosovës.