QKUK: Klinika e Pediatrisë për tre muaj mjekoi 2.123 fëmijë

10.04.2017 15:04:53

Në bazë të raportit tremujor të punës, rezulton se Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pjesë e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka qenë ndër klinikat më të ngarkuara për nga numri i rasteve të trajtuara.

Sipas raportit zyrtar të kësaj klinike, vërehet vëllim i madh i punës, ku vetëm për këtë tremujor ka pasur 2123 fëmijë të hospitalizuar, me 14329 ditë mjekimi, në 151 shtretër të kësaj klinike, ku mes tjerash hyn edhe emergjenca pediatrike me 7117 fëmijë që kanë kërkuar mjekim.

Të gjitha këto shërbime janë ofruar në 14 reparte të ndryshme nga 39 pediatër dhe 129 infermier/e, 62   specializantë dhe konsultantët të tjerë.

Sipas reparteve ka qenë ky numër i fëmijëve të hospitalizuar. Reparti neurologji pediatrieke, me 277, hemato-onkologji me 144, gastroenterologji me  324, nefrologji 226, endokrinologji me  177, kujdesi intensiv me 156, kardiologjia me 190 dhe pulmologjia me 307 fëmijë të hospitalizuar.

Statistika tregojnë se në të gjitha ambulancat specialistike të kësaj klinike është bërë punë e madhe, ku në të gjitha janë bërë 5.057 vizita ambulantore.