Rriten tensionet mes SHBA-së dhe Koresë Veriore

10.04.2017 15:02:39

Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar zyrtarëve t’i paraqesin alternativat për të eliminuar kërcënimin bërthamor nga Koreja e Veriut, tha të dielën këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, H.R. McMaster. Komentet e zotit McMaster vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga intensifikimi i provave me raketa balistike të Phenianit.

H.R. McMaster i bëri këto komente në kanalin televiziv Fox News, ndërkohë që aeroplanmbajtësja Carl Vinson u nis drejt Gadishullit Korean. Ai e quajit këtë një vendim “të matur” për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara në Paqësorin perëndimor.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut sot tha se dislokimi i aeroplanmbajtëses USS Carl Vinson dhe disa luftanijeve mbështetëse në rajon ishte në përgjigje të “situatës së rëndë” në gadishullin korean.

“Ne jemi duke vëzhguar me kujdes situatën që të jemi në gatishmëri për t’u përballur me provokimet e Veriut, pasi së shpejti ata do të kenë disa ngjarje politike dhe Pheniani mund të bëjë prova të reja bërthamore ose prova me raketa,” tha Moon Sang-kyun, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë të Jugut.

Koreja e Veriut po përpiqet të prodhojë një raketë me rreze të gjatë veprimi, me mbushje bërthamore që mund të godas territorin e Shteteve të Bashkuara, një distancë prej rreth 8,000 kilometrash. Pheniani deri më tani ka bërë pesë prova bërthamore dhe mund të jetë duke u përgatitur për provën e gjashtë.

Kohët e fundit Pheniani bëri një provë me raketë balistike, duke shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalojnë këto lloje provash.

H.R. McMaster tha se presidenti Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping janë pajtuar në takimin e tyre në Florida javën e kaluar se “sjelljet provokuese” të Phenianit dhe përpjekjet e tij për të prodhuar armë bërthamore janë të papranueshme.

Presidenti Trump i ka bërë thirrje Kinës, aleatit kryesor të Koresë së Veriut, që të marrë masa më të forta për të frenuar ambiciet bërthamore të Phenianit.