Urdhri i qeverisë tajlandeze: Vishuni me të zeza për një vit, mediat bëhen bardhezi

14.10.2016 23:15:40

“Fundi i një epoke”. Ky është titulli i sotëm i “Bankok Post” për vdekjen e mbretit të Tajlandës, që qëndroi në fron për 70 vjet më radhë. Tajlandezët po mbajnë zi për vdekjen e mbretit 88-vjeçar Bhumibol Adulyadej, i cili ndërroi jetë dje pas një sëmundjeje të gjatë.

“Është humbja më e madhe në historinë e kombit”, tha kryeministri Prayuth Chan-ocha, i cili thirri dje asamblenë legjislative kombëtare, parlamenti i emëruar nga junta ushtarake.

Në nisje të mbledhjes u mbajtën 9 minuta heshtje (9 konsiderohet numër mbarësi). Megjithatë, ndryshe nga sa pritej, princi Vajiralonkorn nuk ka marrë fronin, por e ka shtyrë kurorëzimin deri në fund të ceremonisë mortore.

Tajlandezët do të mbajnë një vit zi. Në muajin e parë të zisë do të pezullohen të gjitha festimet zyrtare. “Qeveria inkurajon të gjithë tajlandezët të vishen me rroba të zeza për një periudhë 1-vjeçare, ndërsa të gjitha zyrat shtetërore do të mbajnë flamurin në gjysmështizë për 30 ditë”, thuhet në komunikatën zyrtare.

Gazetat, televizionet dhe faqet e internetit janë të gjitha bardhë e zi. Edhe faqet ndërkombëtare që kanë qasje nëpërmjet IP-ve tajlandeze, si “Google”, BBC, CNN etj janë bardhë e zi.

Qeveria ka vënë në dispozicion një numër falas, nëpërmjet të cilit u jepet mbështetje qytetarëve që nuk mund të përballojnë dhimbjen, transmeton shekulli.

Bhumibol Adulyadej ishte mbreti më jetëgjatë në fron në historinë e njerëzimit. I cilësuar si gjysmëperëndi në vendin e tij, ai ia ka dedikuar jetën e tij zhvillimit të vendit. Tashmë 67 milionë tajlandezë presin kurorëzimin e mbretit të ri, por të shumtë janë ata që mendojnë se ai nuk do të ecë në gjurmët e të atit.