Urime, për krijuesen shqiptare-norvegjeze, Emine S. Hoti

16.11.2019 13:19:57

Nga: Prof.Murat Gecaj

1.

Siç është bërë e njohur përmes shtypit dhe mediave të tjera, në kryeqytetin tonë, në datat 13-17 nëntor, po zhvillohet Panairi i Librit “Tirana-2019”. Në këtë veprimtari të përvitshme, në Pallatin e Kongreseve, janë çelur disa pavione, me libra të autorëve, si nga Shqipëria, Kosova e trojet tjera amtare, por edhe nga Diaspora jonë, nëpër shtete të ndryshme.

Në këtë kuadër, sot përurohet libri i ri monografik “Marigoja shqiptare”, me autor shkrimtarin e mirënjohur Viron Kona. Ai i kushtohet atdhetares, shkrimtares estilistes së njohur shqiptare-norvegjeze, Emine S.Hoti. Në përurim janë ftuar mjaft miq e të njohur të tyre, në këtë veprimtari, e cila organizohet në kryeqytetin tonë të bukur, arsimdashës, kulturëdashës e artdashës etj.

Sigurisht, pjesëmarrësit, krijues në poezi  e prozë dhe lexues të tjerë, do të flasin në këtë përurim, duke i përgëzuar, si autorin dhe personazhin e Monografisë, krijuesen Emine S.Hoti.

Me këtë rast, në pamundësi pjesëmarrjeje, unë dërgova një përshëndetje e urim për këtë arritje të shënuar, në vazhdën e botimeve, që ka publikuar vetë kjo bashkatdhetare, nga Drenica martire e Kosovës dhe me banim në Norvegjinë veriore, duke patur kurdoherë në mendje e në zemër vendlindjen dhe të gjitha trojet tona amtare.

Kështu, kjo veprimtari përuruese do të mbetet një ngjarje e paharruar në jetën e gjithë pjesëmarrësve në të, por dhe miqëve e dashamirësve të tjerë të letrave shqipe..

2.

Sigurisht, ju mund jeni ne dijeni, ashtu siç do të flitet dhe në atë tubim përurues, që Emine S. Hoti  ka shkruar, botuar e publikuar disa libra, të bukur dhe me tematikë të larmishme, si në poezi e prozë, për fëmijët e të rriturit. Po sjell në vëmendjen tuaj edhe librat me titujt: “Jetë ferri!…”(me temë plagën e emigrimit të shqiptarëve nëpër botë); “Lulet e vendit tim…”(me temë mallin e pashuar për vendlindjen); librat tjerë me poezi të fryëmëzuara: “Zëri: Hija e heshtjes”, “Pyesni zemrën” etj.

Kështu, pra, edhe kjo autore e nderuar po zë një vend të merituar, ndërmjet sa e sa krijueseve emigrante shqiptare, të cilat jetojnë, punojnë e krijojnë nëpër shtete të ndryshme të botës, që nga Europa, Amerika, Kanadaja e më gjerë.

…Pa u zgjatur, në mbyllje të këtyre pak radhëve, e  uroj me zemër bashkatdhetaren tonë, Emine S.Hoti (Krasniqi), si për këtë libër monografik, i cili i kushtohet asaj, që e meriton plotësisht, por dhe për të gjitha botimet e mëparshme, nga mendja e dora e saj!

Shpresoj dhe jam i bindur, që ajo, përsëri, do të shkruajë e publikojë libra, gjithnjë e më të bukur, të cilët do të pëlqehen nga masa e lexuesve, si në emigracion, në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera amtare.

-Respekte të veçanta për ty, me shëndet të plotë, mbarësi e krijimtari, gëzime e lumturi, vetjake e familjare, e nderuara mike bashkatdhetare, Emine S.Hoti!

Mirupafshim, në përurime të reja, në kryeqytetin tonë!

Tiranë, 15 nëntor 2019