Valdete Daka: Zgjedhjet do të mbahen sipas ligjeve në fuqi, partitë politike t’i përmbahen Kushtetutës

02.02.2021 12:11:24

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se ky institucion bart barrën kryesore të organizimit të zgjedhjeve.

Daka shtoi  se organizimi i zgjedhjeve nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin ndërinstitucional.

“Jemi të vetëdijshëm që bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për ti shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qëllimi ynë është që zgjedhjet të mbahen në përputhje me ligjin dhe  të reagojmë kur cenohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës”, ka thënë Daka.

Ajo ka shtuar se KQZ është angazhuar vazhdimisht për organizim të zgjedhjeve të besueshme dhe me standard të lartë.

“Mes sfidave të shumta përfshirë këtu edhe kohën e shkurtër KQZ është duke u përkushtuar në përmbushjen e detyrave që dalin nga Kushtetua dhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Dua t’i garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor se KQZ mbetet e përkushtuar për organizim e zgjedhjeve sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, u shpreh Daka.

Daka u bëri sërish thirrje subjekteve politike dhe të gjithë akterëve tjerë që janë pjesëmarrës në këtë proces zgjedhor që t’i përmbahen Kushtetutës dhe Ligjit në fuqi për zgjedhjet e përgjithshme.

Këto komente Daka i bëri një konferencë për media të mbajtur në mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; Prokurorit të Shtetit; Këshillit Gjyqësor të Kosovës; Komisionit të Pavarur të Medieve dhe OJQ-ve.

KQZ do të zhvillojë mbledhjen e radhës sot, për të certifikuar listën përfundimtare të votuesve e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve.