Van der Bellen fiton zgjedhjet presidenciale në Austri; Hofer pranon humbjen

04.12.2016 23:11:30

Kandidati i së djathtës në Austri Norbert Hofer pranoi humbjen në zgjedhjet presidenciale, pak pasi sondazhet treguan se rivali i tij Alexander Van der Bellen shënoi fitore.

Rezultatet zyrtare priten më vonë gjatë së dielës ose të hënën në mëngjes, por sondazhet që u publikuan nga televizioni publik, ORF, treguan se Van der Bellen ka fituar 53.6 për qind të votave.

Austriakët iu drejtuan sot kutive të votimit në përsëritje të procesit zgjedhor të muajit qershor, rezultati i të cilit u anulua për shkak të parregullsive.

Fushata elektorale në Austri ka qenë e gjatë dhe e ngarkuar me tensione. Shtypi lokal e përshkruan madje si “zgjedhjet e urrejtjes”, për shkak të irritimit në radhët e mbështetësve të djathtë të Hofer dhe të frikës dhe zemërimit të kundërshtarëve të tij të majtë që e kanë quajtur ndonjëherë edhe nazist, për shkak të qëndrimeve të tij anti-emigracion.