Amaneti i Castros: As buste, as statuja, asnjë rrugë apo park me emrin tim

04.12.2016 23:40:45

Raul Castro, drejtuesi kryesor shtetëror në Kubë dhe vëlla i Fidel Castros, i ndarë pak ditë më parë nga jeta, ka paralajmëruar se Kuba do të ndalojë ngritjen e përmendoreve, apo emërtimin rrugëve me emrin e vëllait të tij. Ky ka qenë edhe amaneti i liderit të Revolucionit kuban.

“Kjo kumtesë është publikuar mbrëmë, një javë pas zisë kombëtare për vdekjen e Fidel Castros e në prag të vënies së urnës me hirin e trupit në Santiago de Cuba”, transmeton AP. “Udhëheqësi revolucionar ka hedhur poshtë çfarëdo trajte të kultit të personaliteti e për këtë ka qenë i vendosur edhe në çastet e fundit të jetës së vet, duke insistuar që pas vdekjes së tij asnjë institucion, rrugë, park ose vend tjetër publik, të mos bartin emrin e tij, që kurrë mos t’i ngrihen buste, statuja ose forma të tjera nderimi”, ka thënë Raul Castro para masës madhe të njerëzve tubuar në Santiago.