Rama: Opozita po tenton të “marrë peng” të ardhmen e vendit

09.04.2017 18:41:42
Kryeministri Edi Rama konfirmoi sërish se Partia Socialiste do të futet në zgjedhje më 18 qershor dhe e cilësoi këtë datë, si mjaft të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Në komunikimin e zakonshëm javor, kryeministri hodhi sërish akuza mbi Partinë Demokratike, duke thënë se i druhen Reformës në Drejtësi dhe gjykimit të popullit më 18 qershor.

“Ata që rrinë në çadër, kanë frikë nga Reforma në Drejtësi dhe nga gjykimi i popullit me votë, më 18 qershor, ndaj janë gati të ‘hedhin në erë’, të ardhmen europiane të vendit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi edhe njëherë rëndësinë e votimit të reformës në drejtësi dhe procesit zgjedhor të 18 qershorit, për të ardhmen europiane të vendit.

“Opozita dëshiron të ‘marrë peng’ të ardhmen europiane të vendit, duke bllokuar reformën në drejtësi dhe procesin zgjedhor, por ka ardhur koha që ne të tregojmë se duam të vazhdojmë para, drejt të ardhmes europiane të vendit. Europa nuk mund të na pranojë, pa rerformën në drejtësi dhe kjo është një betejë që Shqipëria nuk mund ta humbasë përsëri”, tha Rama.

Edi Rama theksoi edhe njëherë se populli do të votojë më 18 qershor, dhe se kjo datë do të vendosë përfundimisht nëse vendi është pro apo kundër të ardhmes europiane. /Top Channel/