Vargje nga Dije Lohaj

12.04.2021 18:20:38
KËSHILLË PAS DARKËS SË DREQIT
Nëse flas, djajtë nuk kanë lavdi.
E di se do të kthehen rrugës së vet,
(Nëse nuk e kanë humbur), Kthehen gjurmëve të gjakut.
Le ta thërrasin edhe në zhgjëndërr
Diogjenin me fener në dorë,
Nëse nuk ua ka verbuar sytë
Hidhërimi i njerëzimit!
Të verbrit lexojnë Homerin,
Ia groposin bebëzat e syrit,
Dhe mësojnë fshehtësinë e mallit,
Në nëntë palë nën shekuj.
Bota jep e merr, ndërron udhë.
Parajsë e ferr në kor mjelin muzat…
Dhe shpirtra të syrgjynosur
I lënë pa i mbuluar me dhe.
Kthehuni e shikoni nga dielli,
Që t’ia gjeni fillin lindjes!
KALËRIMI I KALIT TË TROJËS
Kush e di?
Djall a Zot?
Nga Olimpi i lashtë e tëhu,
M’i prenë kryq e tërthor udhët…
Kishin humbur nëpër mjegull,
Oborret e mia!
Papritur në kullën time
Hyri Kali i Trojës.
Nëpër udhëtimin e tij,
Shkel lulëkuqet,
M’i ha ëndrrat…
Pastaj, pa mëshirë,
Zuri të shtinte mbi dashurinë time,
Me të gjitha armët.
O Zot!
A e di ku i ka marrë?
Që të mbajë mbretërinë e tij,
Zhveshur nga miti i lashtë i tradhtisë,
E të kalërojë plagëve të këtij planeri!