Vargje nga Dije Lohaj

31.01.2020 12:36:08

Në  rrugë për të  kërkuar sytë e Homerit

Nën pëlcitjen e hënës së plotë
Seç kanë rënë
Sa e sa copa verdhësish
Plagëve, zjarreve dhe klithmave.
Furtunat verdhësohen të harbuara,
E unë e zemëruar me zemrën
Kërkoj sytë e Homerit
Nëpër labirinte legjendash të reja.

E heshtur ec
Gjurmëve të syrit të shtatë blu,
Lënë nga potkonjtë e atij kali trojan.
Yjet vallëzojnë nëpër shikimin tim,
Tek fikin fenerin e tyre,
E tallen me terrin e natës.
Heshtin brenda shurdhërisë sime,
E nuk zhduken si unë
Vargjeve të Homerit.

Nuk dehen
Duke pirë verbërinë e tij,
Bashkë me mua,
Dhe nëpër ajrin tim të zemëruar,
Gërmojnë sytë e mi
Nëpër terrin e kafkës sime.
Aty vetë gërmoj
Rrënjët e zemrës së plasur,
Me ata thonjtë
Që dikur i bëra parmendë
Për të lëruar dheun e atdheut.

Shporru dritë e rrejshme,
Ngado që vjen
E ngado që shkon!
Shemb kohën e ikur,
Me ritmet e melodisë së çmendur,
Krasitur me mallkimet e plisit,
Në piramidat e kthyera përmbys.