Vargje nga Nazmi Rudari

15.04.2020 23:37:53
LLAPI
Si para dy mijë vitesh
Fushë e shtruar rrethuar vargmalesh
Si para shekujsh i qetë verës
Vjeshtë e pranverë dallgë
Në Ballkanin e zhubrosur
Nuk vdes kurrë Venisi
Kullat i përbuzin motet e zeza
Eshtra e rrashta lanë të pëgërët
Punë më e lehtë për arkeologët
Të caktojnë lakminë e dhëmbit të zi
2
Sot dy mijë vjet Llapi nuk ka ndryshuar
Po ai rrafsh i ujit po ato maje malesh
Që e mbajnë borën edhe Shëngjergjit
E moteve të përgjakura lumi
Këput trup arave
Dhe zbulon tumat ilire
Dhe ringjall të vërtetën për Venisin
Ku jetojnë e vdesin Albanët…
3
Në qafë na pastë Via Egnatia
Që solli e mbolli hordhi pushtuesish
Gjuhësh flamujsh ngjyrash të ndryshme
Natë e ditë u shkuan me heshtë gjersa heshtë nuk mbeti
Prapë nuk ndryshoi asgjë se nata pis
Shkeli mëngjesin në ag me tank
Mu në kopshtin tim dhe në oborrin e shtëpisë
E m´u prishi gjumin fëmijëve e fqinjëve
Mbi ne u hodh tym e helm e zjarr.
4
Po, Llapi i pandryshuar
Sot e dymijë vjet mbijnë lisat e mbarten plisat
Dhe njerëzit njësoj shënojnë hyrjet dhe daljet në jetë
Në shtëpitë e heshtura nëpër tymin vdekjeprurës
Presin agimin e një dite më të bardhë
Ehu burrë sa topi plasi e krisi
Mbi flatrat e perëndive ilire
Dhe kurrë qerren e diellit s e përmbysën
O zot sa gjahtarët e sa gjarpërinjtë
Erdhën të na vrasin, të na helmojnë ëndrrat
Që dy mijë vjet fal o zot rrëshqasin në pakohësi…
5
Dhe humben rrugët dhe shtigjet
U përplasën e ngordhën myk mbi myk
Që na mbanin në grykë me verbim pushtues
Dhe kurrë nuk e kuptuan se nuk mposhtet trashëgimia
Që rritë dashuri mbi dashuritë mija vjet
Përcjellë nëpër fyej eshtrash e lahutë kafkash
Gjerë në kopshtin e zemrës e të mendjes
Ku shtohet tryezë e mikut
Ku me besa besë mbushte trasta diell
Për t´i lënë pas shpine ëndrrat e ankthta
Gurosur e murosur gjerë te trimëria
Që hap pas hapi e brinjëmbrinj përshkon Llapin
Për të ruajtur erërat e ngrohta dhe ninullat.
Qe freskojnë jetën e mija vjet prej Venisi në Podujevë…
6.
llapjanët si kosovaret si gjithë shqiptarët
e dinë si dy mijë vjet më parë
kurrë nuk vdes liria
atyre që mundohen ta vrasin u verbon sytë…
_