Vargje për dheun tim / poezi nga Dije Lohaj

12.06.2021 11:00:31
VARGJE PËR DHEUN TIM
Këtu arrijnë rrënjët e dheut tim,
Rrënjosur damarëve të altarit të shenjtë,
Ruajmë hartën e globit diku,
Cifluar në mijëra cifla,
Me ato fjalët magjike që nxehin diellin
E shuajnë etjen burimeve.
Këtu të kaluarën e prekim me gishtërinj,
Të tashmen e pagëzojmë me fjalën LIRI,
Të ardhmen me zëra fëmijësh.
Ehu, shumë kohë para se të lindja unë,
Paska lindur atdheu im,
Bashkë me hisen e dheut tim,
U rrit herë duke u përkundur në djep,
Herë nëpër fronte të luftës,
Herë duke ecur prej aty ku fillon vendlindja,
Herë duke luftuar, aty ku mbaron atdheu.
Dheu ynë
E ka emrin e nënës e të atit,
E ka mallin e Doruntinës
Dhe motrës së Gjergj Elez Alisë,
E ka dorën e butë të djalit të Rozafës,
Mëkuar shekujve,
E ka bukurinë e zanave
Dhe freskun e Bjeshkëve të Némuna.
Në qiellin e zjarrtë prekim
Ajrin, dritën, aromën,
Orët e jetës
Të moshës së atdheut tim
Pjesë e rritës sonë!