Varroset me nderime Nazlime Emini, nëna e Heroinës Hyrë Emini-Mira: Merr pjesë edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarça

13.10.2016 20:09:29

Qindra qytetarë ferizajas dhe me gjerë të enjten kanë marr pjesë në varrimin e Nazlime Emini nëna e heroinës Hyrë Emini-Mira.
Në ceremoninë mortore në nënë Nazlimes mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtoret e tij, deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës, drejtues të shoqatave të dala nga lufta, si dhe qytetarë të tjerë nga Kosova, Maqedonia e me gjerë.
Ngushëllime të thella familjes Emini i ka shprehur edhe kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa.
“Dëshiroj të shpreh nderimet më të thella për të ndjerën Nazlime Emini, për këtë nënë, e cila diti të rrisë dhe të frymëzojë me atdhedashuri heroinën Hyrë Emini.
Ne sot po varrosim një nënë. Të gjitha nënat janë njësoj: të dashura, të urta, të dhembshura. Por sot po varrosim një nënë, e cila e brumosi me edukim atdhetar e njerëzor një heroinë, Hyrë Eminin. Prandaj, Nazlime Emini meriton më shumë nderim dhe që të mbahet më gjatë në mendjet tona. Na ngushëllon fakti se nëna si Nazlime Emini, kanë arritur të ndiejnë e të përjetojnë shijen e lirisë së munguar përgjatë pjesës më të madhe të jetës së brezit të saj. Ajo, ashtu si edhe nëna të tjera dëshmorësh e heronjsh, kanë vuajtur nga plaga që u kanë shkaktuar humbjet e më të dashurve të tyre në luftë, por shija e lirisë, ua ka lehtësuar sadopak ato plagë.
Ne të gjithë ndihemi krenar për nënë Nazlimen. Krenaria jonë për të duhet të jetë ngushëllim për familjaret, për të afërmit dhe për të gjithë ata që ndiejnë dhembje për humbjen e saj”, ka thënë kryetari Svarqa.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka vendosur edhe lule të freskëta të varri i nënë Nazlimes.
Nëna Nazlimja ishte nëna e heroinës Hyrë Emini-Mira e cila ra për të mos vdekur kurrë në Tanushë të Gostvarit.