Vasfia u bë zëri i gjithë femrave që primitivizmi ynë nuk i lë që të flasin

01.05.2019 12:33:17

Nga Rexhep Kastrati

Po e quajnë heroinë, jo se janë kaq të emancipuar, por ngaqë të tillë po e quan bota! Po të ishte në Kosovë, pra po të mos ishte martuar me një amerikan, Vasfia jo që do të mbeste pa burrë, por edhe e përçmuar së pari nga të vetët, e pastaj edhe nga të tjerët!
Po, Vasfia është një heroinë që u ngrit mbi paragjykimet, mbi hipokrizinë, mbi primitivizmin tonë, mbi mjerimin tonë moral dhe me peshën e një përjetimi të rëndë, një përjetim që veç ajo dhe të tjerat si ajo mund ta dinë, dhe doli para botës për të rrëfyer një nga përmasat më të rënda të tragjedisë së shqiptarëve!
Po, Vasfia është heroinë, edhe për faktin se për herë të parë, së paku në përmasa të tilla, që ka arritur t’ia rrëfejë botës një nga format më barbare që Serbia ka kryer gjatë shekujve mbi nënat, mbi gratë, mbi vajzat shqiptare, dhe është bërë zëri jo vetëm i nënave, grave, vajzave të dhunuara gjatë luftës së fundit, por i nënave, i grave, i vajzave të dhunuara gjatë gjithë kohës kur nuk kanë mundur dhe guxuar të flasin.
E historia e dhunimeve ndaj nënave, grave e vajzave shqiptare është histori e gjatë, ashtu siç është e gjatë edhe historia e nënave, e grave, e vajzave shqiptare që kanë kryer aktin më sublim, atë të vetëvrasjeve individuale dhe kolektive, veç për të mos rënë në duart e shikuesve barbarë!
Po të mos e bënte vetë, ne do ta përçmonim, ose nuk do të dinin fare që ekziston Vasfia, kurse ajo vetë do ta kalonte jetën më peshën e rëndë mbi shpirtin e saj, më i rëndë se dheu mbi trupin e saj pa jetë!
Dhe sa ka si Vasfia që jetojnë më peshën e rëndë, dhe që e quajnë veten të mallkuar që nuk qenë me fat të vriteshin dhe të mos e bartnin gjatë tërë jetës peshën e rëndë, por edhe përçmimin tonë!
Prandaj, jo pse bota e quan Vasfien heroinë, por atë dhe të tjerat si ajo, duhet të kenë vëmendjen tonë, mirëkuptimin tonë, e jo mëshirën tonë, as përçmimin tonë!
Ato nuk janë për t’u mëshiruar! Për t’u mëshiruar jemi në që na ka pllakosur shpirtin primitivizmi, gurtësia dhe nuk përpiqemi që të marrim pak nga pesha e dhimbjes së tyre!