Vazhdon binjakëzimi i dy komunave, Deçanit e Ulqinit

14.07.2018 20:10:38

Binjakëzimi i dy komunave; Deçanit dhe Ulqinit, po vazhdon në të gjitha sferat, edhe në atë kulturore e ekonomike. Kështu u tha gjatë takimeve që delegacioni i komunës së Deçanit, i prirë nga kryetari Bashkim Ramosaj, zhvilloi me udhëheqësit e Komunës së Ulqinit. Ndërsa segmenti rrugor Plavë-Deçan, siç u tha, mbetet prioritet në nivelin qendror.
Bashkëpunimi në intensifikimin e promovimit kulturor, turizmit dhe forcimi i shkëmbimit ekonomik, duhet të jenë prioritetet e këtij bashkëpunimi në mes dy komunave të binjakëzuara Ulqin – Deçan, ka deklaruar kryetari i komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, në kuadër të vizitës së tij miqësore në Ulqin.

Në takimin me udhëheqjen e qeverisjes lokale në krye më të parin e Ulqinit Loro Nrekiq, në fokus të veçantë ishin edhe projektet madhore, e një ndër ato edhe segmenti rrugor Plave- Deçan, raporton RTK.

Bashkim Ramosaj kryetar i Deçanit, tha se synimet janë të përbashkëta,intensivisht kanë filluar projekte mjaft serioze. “Edhe ne i informuam atë çka po bën komuna e Deçanit,në rrugën që do lidhë Deçanin me komunën e Plaves e që do t`jetë vazhdimësi deri ne komunën e Ulqinit,që do t`ketë një qarkullim dhe komunikim ndërmjet njerëzve dhe mallrave”, tha ai.

Në anën tjetër Loro Nrekiq, kryetar i Komunës së Ulqinit, rikonfirmoi vullnetin e mirë për të avancuar edhe më tej lidhjet në mes dy komunave…

” Na jena një trup, i cili funksionon në atë mënyrë edhe do të vazhdojmë këtë funksionim edhe ma tepër në të ardhmen”

Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Deçani të shoqëruar nga zyrtarët komunal vizituan objektet e rëndësishme kulturore të Ulqinit. Ndërkohë që delegacioni i Ulqinit, vizitën kthyese do ta ketë në Deçan me 20 korrik ku organizohet edhe panairi tradicional i Deçanit.