Pas diplomimit, mjekët në Maqedoni regjistrohen në kurs të gjuhës gjermane, për të ikur jashtë vendit, në kërkim të mundësive të reja.
Sipas Shoqatës së mjekëve shqiptarë, dukuria është më e theksuar në rajonin e Tetovës.
Në dhjetë vitet e fundit është rritur numri i mjekëve të cilët kërkojnë vërtetime nga Oda e Mjekëve, se në mënyrë aktive merren me mjekësi klinike. Në vitin 2015, ky numër arriti në 171. Nuk dihet nëse këta mjekë janë kthyer në Maqedoni, apo jo.
Ndërkaq, nënkryetarja e Odës së mjekëve, Lençe Nelovska thotë për Alsat-M se ”vërtetimi i njëjtë vlen edhe për njerëzit që planifikojnë të shpërngulen, por ne si Odë, as që kemi të drejtë, e as që kërkojmë të dhëna për atë nëse mjekët shkojnë dhe kthehen, apo nuk kthehen fare.”
Si shkak kryesor për largimin e mjekëve përmendet rroga e ulët, por edhe vendosja e sistemit të pagesës sipas punës dhe mungesa e kushteve tjera për t’i motivuar mjekët që të mos largohen.