Vazhdon lufta ndaj kontrabandës me narkotik, arrestohet një person në Prishtinë dhe konfiskohen 2.5 kilogramë kokainë

07.06.2021 09:48:59

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se është arrestuar një person në Prishtinë për kontrabandë me narkotik.

Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se aksioni i policisë u realizua në koordinim të plotë me policinë gjermane, ku u konfiskuan edhe 2.5 kilogramë kokainë, armë dhe fishekë.

“Njësia antidrogë e rajonit të Prishtinës, në koordinim të plotë me policinë gjermane, realizuan aksionin e radhës që rezultoi me arrestimin e një të dyshuari në Prishtinë për kontrabandë me narkotik. Poashtu, policia konfiskoi edhe 2.5kg kokaine, 3 armë (revole, automatike), karikator, qindra fishekë, si dhe dy automjete”, ka shkruar Sveçla.

Ministri i Brendshëm më tej ka theksuar se mbeten të përkushtuar maksimalisht që të punojnë ngushtë me partnerët tanë për të parandaluar dhe luftuar, tregtinë e paligjshme të drogës dhe formave të tjera të rënda të krimit të organizuar ndërkombëtar.

Kujtojmë se javë më parë në Lipjan policia konfiskoi 400 kilogramë kokainë, të cila kapin shifrën e rreth 20 milionë eurove. Ky aksion ishte realizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe italiane.