Pyetet familja Kolaveri për eksplozivin në dyqanin e biznesmenit

02.01.2017 16:19:03

Një ditë pas vendosjes së eksplozivit në objektin e biznesit të Gazmir Dacit në rrugën Demokracia në Bathore, Policia e Tiranës po verifikon dëshmite e disa personave.

Sipas burimeve të policisë nga dëshmitë konfirmohet lëvizja e të paku një personi pranë vendit të shpërthimit në kryqëzimin e Bathores.

Hetuesit thanë se po verifikohen edhe me informacione të tjera që po merren në terren nga agjentët e policisë së kryeqytetit.

Në lidhje me ngjarjen, policia shoqëroi disa persona si të dyshuar nga familja Kolaveri me të cilët familja Daci, është në hasmëri.

Asnjë prej të shoqëruarve dhe personave të pyetur, nuk pranoi të kishte lidhje me ngjarjen.

Shpërthimi në dyqanet e familjes Daci, në rrugën “Demokracia” në Kamëz, u regjistrua mëngjesin e 1 janarit të vitit 2017, rreth orës 3:20 minuta të mëngjesit.

Vala goditëse qe mjaft e fuqishme sa veç dëmeve dhe shkatërrimit të ambienteve të brendshme të objektit dëmtoi edhe fasadat e dyqaneve dhe objekteve të tjera për rreth.

Ndërkaq policia ende nuk ka ndonjë të dyshuar në lidhje me shpërthimin. Gazmir Daci është në burg, pasi dyshohet për vrasjen e Valmir Kolaverit.