Vdekja e të riut në Francë, Basha: Rama, shkaktari i kësaj situate

24.12.2017 11:08:08

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor të vdekjes së të riut shqiptar në Francë, Florenc Beqiraj.

Në një postim në “Facebook”, Basha thotë se Rama heshti, siç bën çdo ditë për largimin masiv të shqiptarëve.

Postimi i Bashës në FB

“Vdekja tragjike e 23-vjecarit Florenc Beqiraj në burgjet franceze, është një lajm i kobshëm për çdo shqiptar. Kur në mbarë Europën të rinjtë bashkohen në vatrat familjare për festat e fundvitit, mijëra të rinj shqiptarë detyrohen të largohen ilegalisht nga familjet e tyre në kërkim të dëshpëruar të mundësive që vendi i vet nuk ua ofron. Shkaktari dhe përgjëgjësi kryesor i kësaj gjendje heshti edhe sot për vdekjen e Florencit 23-vjeçar, siç hesht çdo ditë për largimin masiv të shqiptarëve.

Si qindra mijëra bashkëqytetarë bashkohem me dhimbjen e familjarëve dhe miqve të Florencit duke ju shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin tim njerëzor dhe familjar.

Zoti i dhëntë Florencit, paqen e përjetshme, familjarëve forcën e domosdoshme dhe ne të gjithëve kurajën për t’u përballur me të vërtetat e dhimbshme dhe për t’u ngritur mbi të keqen!