Vdekja e tre familjarëve në Gjirin e Lalzit, thirrja që bën për autoritetet shqiptare kryetari i Komunës së Gjilanit

10.05.2021 08:59:59

Ditën e djeshme janë përcjellë për në banesën e fundit tre viktimat e familjes Haliti, të cilët humbën jetën në mënyrë tragjike pas konsumit të kërpudhave që kishin mbledhur në pyll, në Lalëz të Durrësit.

Ky ishte njoftimi i autoriteteve për ngjarjen, por djali i çiftit hodhi dyshime në lidhje me vdekjen e prindërve të tij dhe gjyshes.

Ai tha se bashkë me ta kishte ngordhur edhe qeni i tyre, por kafsha asnjëherë nuk konsumonte ushqimin që hante familja, duke përjashtuar kështu faktin që kafsha të ketë ngordhur nga ngrënia e kërpudhave helmuese.

“Ne kemi pasur edhe një qen atje edhe qeni ka ngordhur, ai nuk e konsumon asnjëherë ushqimin që ne hamë. Kjo shkon përtej dyshimit, sepse qeni nuk konsumon kërpudha. Babi ka dalë shpesh për të na mbledhur kërpudha, nuk është se nuk i ka njohur kërpudhat”, u shpreh ai.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili shprehet se shteti shqiptar e ka për detyrë të dalë sa më parë me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës.

Reagimi i plotë

Gjilani, Kosova e Shqipëria u tronditën nga tragjedia që ndodhi në Durrës, përkatësisht në Gjirin e Lalëzit, ku tre bashkëqytetarët tanë, Elfete, Afrim e Ferdinaze Haliti, ndërruan jetë papritur. Sot ia dhamë lamtumirën e fundit në Gjilan dhe na mbeti peng e vërteta e shuarjes së tyre.

Shteti shqiptar e ka për obligim që sa më parë të dal me rezultatin përfundimtar të hetimit për zbardhjen e të vërtetës. Për shpirtrat e Elfetes, Afrimit e Ferdinazes, për familjen Haliti, për Gjilanin, për Kosovën, për Shqipërinë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Haliti për këtë humbje të madhe. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!