Veç nacionalizmi (populist) mund ta shpëtoj shtetin e Kosovës?

21.01.2019 18:05:24

“Kur një alamet Amerike, që ka shekuj përvojë në demokraci, i kthehet sërish idesë së nacionalizmit populist (koncept ky me të cilin triumfoj D.Trump),vetëm e vetëm që t’i rikonsolidoj institucionet e veta demokratike, atëherë, shtrohet pyetja milionëshe, se : kush jemi ne shqiptarët, që me kaq lehtësi (e në emër të një kosmopolizmi fiktiv?!) po heqim dorë vullnetarisht nga e drejta sublime e nacionalizmit qytetar…” (F.M) Kush po vendos sot në Kosovë për interesat vitale?

1. Duke shikuar perspektivën e Kosovës nga ky këndvështrim, duket që nacionalizmi pak a shumë i shprehur ekonomik do të duhej të paktën të analizohej edhe si një nevojë për të shprehur specifikat që shteti i hendikepuar po i bart edhe me faktin e të qenit një rast sui generis. Kuptohet nacionalizmi ekonomik në kohën tonë, s’mund të mbetet armë e fuqishme për ta mbajtur hapin e zhvillimit dhe sidomos procesit të integrimit afatgjatë, (synim ky kogja diskutabil në të ardhmen!?), por mund të shërbejë si një alibi interesant për të shprehur pakënaqësinë dhe papajtueshmërinë tonë lidhur me diskriminimin që është duke na u bë si shtet i ri, p.sh. në proceset e reja ekonomike integruese rajonale.

2. Por, fakti që partner i vendeve dhe shteteve të vogla sikurse janë Kosova, nuk duhet të jenë korporatat e mëdha (KTN-të) të cilat nga përvoja e vendeve tjera po ashtu të vogla imperativ të vetëm e kanë “blerjen” (lexo: plaçkitjen me letra !) në formë bankrotimi të atyre pasurive dhe resurseve që kanë peshë nacionale, por kryesisht popujt dhe qeveritë e tyre legjitime të përzgjedhura përmes votës së lirë të qytetarëve.

3. Themi kështu edhe për shkak se, përvojat e vendeve të vogla gjithashtu dëshmojnë, se: korporatat e mëdha sot pa mëshirë ushtrojnë presion në qeveritë e reja të pamësuara sa duhet në ndërtimin dhe respektimin e institucioneve përgjegjëse dhe transparente demokratike, duke korruptuar kështu gjithherë grupe të ndryshme interesi që janë të gatshme për shërbime (lexo: edhe transaksione marramendëse!?) në marrëveshjet e arritura (natyrisht!) në dëm të vendit dhe qytetarëve.

4. Rast për të dëshmuar apo demantuar përvojën e këtyre vendeve, ne në Kosovë më si miri i kemi me tendencat që të privatizohet gjiganti i PTK-s (në kohën kur profiti sipas ekspertëve ishte në kulm!) dhe ai i Trepçës, (që është lënë me qëllim të vijë buzë bankroti, në mënyrë si thotë populli të blihet “për një kafshatë goje”) së bashku me kompanitë tjera të përfshira në procesin e privatizimit.

5. Një çështje tjetër e rëndësisë vitale nacionale, e që kujtojë gabimisht është duke u servuar qytetarëve dhe përgjithësisht publikut kosovar gjatë gjithë periudhës së pasluftës është edhe ai i kinse joshjeve që u bëhen këtyre korporatave (KTN-ve) përmes Projekteve të ndryshme, ku kushtet dhe qëllimet e përgjithshme afatgjata kryesisht i diktojnë jo ekspertët dhe institucionet tona, por menaxherët e këtyre korporatave, të cilëve tashmë në kushtet e proceseve globalizuese ngandonjëherë nuk u dihen as adresat e sakta të veprimit dhe menaxhimit!

6. Gjatë gjithë periudhës së pasluftës jemi dëshmitarë të këtyre llojeve të ofertave dhe kërkesave që u përcollën herë pas herë edhe me skandale të ndryshme. Është e kuptueshme që kapitalizmi neoliberal, për qëllim dhe synim permanent të vetin ka qarkullimin e lirë dhe të pakufishëm të mallrave (sidomos) dhe njerëzve (më pak) që dosido nënkupton faktin e reduktimit të rolit dhe intervenimit eventual të institucionit të shtetit në këtë fushë.

7. Ku ashtu siç edhe u pa në rastin e tendencës së bllokimit të kufirit me Serbinë, si edhe tashmë së fundi pranimit të futjes së Republikës në “Republikë”, duke harruar kështu se adresa e vetme e këtij kontrolli më nuk është as në dorë të qeverisë së Kosovës, por të këtyre “pronarëve të rinj” që dikush i shquan me epitete dhe eufeizma të ndryshëm si “miq tanë”, “qendra të vendosjes” , “faktori ndërkombëtarë’’, “zyrat e Dragodanit”, etj. Së këndejmi për mendimin tim, qeveria e Kosovës vetëm ka zbatuar një “urdhër” të (pa)dukshëm (e gjithsesi edhe të kushtëzuar!) të shoqërorizuar me përkrahje të formave (ekonomike e politike) dhe stilit të “karotës dhe shkopit” që në fakt më së mirë dëshmon se s’jemi akoma as “sovran”, as “të pavarur” e mbi të gjitha as “shtet demokratë”! A mundet nacionalizmi të shërbejë si një lloj guide për rilokalizmin rajonit të Ballkanit?