Veliu porosi Vjosa Osmanit: Ke punuar kundër LDK-së, por partinë s’mund ta ndash

09.09.2020 12:50:08

Teksa Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani konfirmoi mbrëmë se po e shqyrton mundësinë e krijimit të një partie të re, asaj po vazhdojnë t’i vijnë reagime nga LDK.

Është nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu ai që sot i ka dërguar një porosi Osmanit, pas një takimi që kishte me nënkryetarin tjetër të partisë, Lutfi Haziri në Gjilan, shkruan lajmi.net.

Ai kur është pyetur në lidhje me deklarimet e Vjosa Osmanit se do ta lë LDK-në, ka thënë se këtë parti s’mund ta ndajë askush.

“Lidhja Demokratike deri tash është tregu historikisht që nuk mund ta ndajë askush, mund të ndahen individë, kushdo qofshin por LDK është vshtirë të ndahet”, ka thënë Veliu.

Madje sipas Veliut,  Vjosa Osmani aq më pak mund ta përçajë LDK-në, pasi që siç tha ai, Osmani k punuar që një kohë të gjatë kundër këtij subjekti.

“Ajo ka kohë që është jashtë LDK-së me punë dhe veprime, me trup ka qenë në LDK deri më tash”, tha tutje ai.