Vëllai i Dardan Molliqajt mashtron mërgimtarët, ua merr të dhënat personale paautorizim (Foto)

12.05.2017 19:52:45
Vlorian Molliqaj, vëllai i sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj e ka nisur në rrjetin social, Facebook, një lloj fushatë për mbledhjen e të dhënave personale, e që në shikim të parë duket si formular zyrtar i KQZ-së për Mërgatën.

Në linkun e shpërndarë nga Molliqaj në Facebook shkruan: “Formular për informim lidhur me procedurat e votimit nga Mërgata. Zgjedhjet në Kosovë 2017”, ndërsa në prapavijë është logoja e KQZ-së e që të krijohet përshtypja sikur është formular zyrtar i KQZ-së.

Kjo ka hutuar shumë kosovarë që jetojnë në disporë, të cilët kanë menduar se është formular shtetëror dhe janë “regjistruar”, mirëpo më vonë e kanë kuptuar se kjo mund të jetë mashtrim dhe se të dhënat personale janë marrë nga dikush që nuk është i autorizuar, në këtë rast Vlorian Molliqaj, shkruan lajmi.net.

Një reagim publik kundër Molliqajt e ka bërë Meliza Haradinaj-Stublla, ish anëtare e Kryesisë së AAK-së, e cila jeton në Londër.

Në anën tjetër, Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ka thënë për lajmi.net se me këtë link janë duke u vënë në lajthitje dhe janë duke u mashtruar qytetarët.

“Kjo formë e përpunimi të paautorizuar të të dhënave personale të kosovarëve në mërgatë është i paligjshëm dhe veprim i dënueshem me ligj. Ky veprim nxitë dyshime nëse këto të dhëna do të përdoren ose keqpërdoren për fushata partiake. Ftoj të gjithë qytetarët që kanë rënë pre e këtij mashtrimi ta raportojnë  atë formë në Google duke klikuar tek “report abuse” në fund të formularit”, ka thënë Flutura Kusari.

vlorian1vlorian2