Vendi i saj ka habitur botën në përballjen me virusin, ministrja e Koresë së Jugut tregon sekretin, por ka dhe një paralajmërim

13.04.2020 22:04:21

Ministrja e Jashtme e Koresë së Jugut, Kang Kyung-wha, në një intervistë me FRANC 24, foli për mënyrën e trajtimit të pandemisë nga Covid-19 të vendit të saj, i cili ka bërë jehonë në gjithë botën.

Me rreth 10.500 raste të konfirmuara pozitive me koronavirus dhe pak më shumë se 200 vdekje deri më sot, Koreja e Jugut ka shmangur nivelin e lartë të vdekjeve që shihen në shumë vende të tjera.

Sidoqoftë, Kang paralajmëroi se disa pacientë në Korenë e Jugut që ishin shëruar nga Covid-19, janë “testuar pozitivë” disa ditë më vonë.

Ministrja tha se numri i rasteve me Covid-19 ishte “stabilizuar” në vendin e saj duke theksuar se qeveria kishte “vepruar shpejt”.

Sipas ministres, testimet e shumta dhe gjurmimet e kontaktit kishin qenë të rëndësishme për të frenuar pandeminë dhe për ta vënë atë nën kontroll. Ajo shtoi se transparenca e plotë ishte gjithashtu thelbësore.

E pyetur nëse ajo kishte frikë nga një valë e dytë e shpërthimit të virusit, ajo pranoi se “(nga) ata pacientë të kuruar plotësisht dhe të dalë nga spitali, shumë prej tyre janë testuar pozitiv disa ditë më pas”, duke theksuar se natyra e virusit nuk ishte ende plotësisht e njohur.

“Kemi shumë raste të konfirmuara midis udhëtarëve që janë rikthyer së fundmi në vend nga udhëtimet jashtë shtetit”, shtoi Kang.

“Kjo është një sfidë globale; nuk është e mjaftueshme që ne të frenojmë sëmundjen brenda vendit; kjo është një sfidë që ne duhet të kapërcejmë së bashku si një bashkësi globale”.

Ministrja e Jashtme e Koresë së Jugut tha se filozofia e qeverisë së saj gjithmonë ka qenë të “respektojë të drejtën e njerëzve për lirinë e lëvizjes”, por shtoi se kufizimet e udhëtimit ishin vendosur në mënyrë që të shmangnin një valë të dytë të virusit.