Vendimi për Sylejman Selimin pas një jave

07.07.2017 14:27:44

Gjykata Supreme të hënën vendosi për lirimin e ish-komandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtakut nga të gjithat akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, e më pas 7 vite burgim nga Apeli.

Mirëpo, një vendim i tillë nuk u mor edhe për komandantin tjetër, Sylejman Selimin i dënuar në të njëjtin grup, shkruan Indeksonline.

Avokati i Selimit, Tomë Gashi ka thënë për Indeksonline se ende nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.

“Ende nuk ka kurrfarë vendimi për Sylejman Selimin dhe nuk e besoj që sot e dërgojnë vendimin. Kanë deklaruar që vendimet do t’i dërgojnë deri në mes të korrikut, kështu qe ne jemi në pritje”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë se Selimi është duke vuajtur dënimin me burgim në Burgun e Dubravës pasi është shpallur fajtor për krime të kryera gjatë kohës së luftës.