Vendos Higuain, Juventus largohet me 3 pikë nga Milano

28.10.2017 23:18:32

Gonzalo Higuain ishte futbollisti vendimtar, në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 11 të Serisë A. Argjentinasi shënoi të dy golat e sfidës dhe bëri që Juventus të largohet me 3 pikë mjaft të vlefshme nga Milano. Nga ana tjetër, kuqezinjtë e Montellës shfaqën sërish probleme të theksuara në mbrojtje, ndërsa traversa e Kaliniç ishte shumë pak për të pretenduar rezultat pozitiv.

Pjesa e pare përfundoi me avantazhin 0-1, të Juventusit, pas golit të shënuar nga argjentinasi Higuain, në minutën e 23-të të takimit. Vlen të përmendet që Milani humbi mundësinë më të mirë për të barazuar në fundin e pjesës së parë, pasi topi i goditur nga Kaliniç përfundoi në traversën e portës së Buffonit.

Edhe në pjesën e dytë, bardhezinjtë e Allegrit ishin më të qartë në veprimet e tyre në fushë, ndërsa dyfishuan rezultatin në minutën e 63-të, sërish me anë të Higuain. Në minutat e mbetura u vu re një Milan i dorëzuar, që kërkonte dëshpërimisht të bëjë diçka, por që i mungonte forca dhe kthjelltësia.

Pas kësaj fitoreje Juventusi ngjitet përkohësisht në vendin e dytë, me 28 pikë, po aq s aka edhe Napoli kryesues, ndërsa Milani mbetet në kuotën e 16 pikëve dhe shikon që objektivi Champions, t’i largohet edhe më shumë.

Orët e ardhëshme mund të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e trajnerit Montella, që në këto momente duket më shumë larg sesa pranë kuqezinjve.

Golat: 
63’ – 0-2. Gonzalo Higuain i mbyll gojën kritikëve, duke shënuar një tjetër gol mjaft të bukur ndaj kuqezinjve sot. Nga ana tjetër, mbrojtja e Milanit nxjerr në pah edhe njëherë dobësitë e saj, të shfaqura shpesh në këto 11 javë të para.