Vendoset sërish lidhja e SHBA-ve me Rusinë për hapësirën ajrore të Sirisë

14.04.2017 14:09:15

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia sërish kanë vendosur lidhjen speciale për shkëmbimin e informacioneve, për shmangien e incidenteve në hapësirën ajrore të Sirisë, por marrëveshja formale për këtë nuk është ripërtërirë.

Lajmi është bërë i ditur të premten nga zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Rjabkov.

Pas sulmit raketor amerikan në bazën ajrore në Siri javën e kaluar, Rusia njoftoi se kishte suspenduar zbatimin e memorandumit për parandalimin e incidenteve dhe sigurimin e fluturimeve të sigurta me SHBA-të, transmeton KosovaPress.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në takim me sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson tha se Moska është e gatshme për marrëveshje në lidhje me shkëmbimin e informacioneve.

Rjabkov tha se shkëmbimi i informacioneve është vazhduar, por pa konfirmime zyrtare se zbatimi i këtij dokumenti është ripërtërirë, transmeton agjencia e lajmeve ruse TASS.

“Sasia e informacioneve që shkëmbehen është e caktuar varësisht nga situata”, tha ai.