VENDVOTIMET PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT TË AKR-SË HAPEN NESËR

19.02.2017 16:54:49

Nesër Aleanca Kosova e Re hap vendvotimet për zgjedhjen e presidentit të partisë.

“Përgatitjet për votimin e presidentit të Aleancës Kosova e Re, janë duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërsa të gjitha degëve ju janë shpërndarë materialet zgjedhore dhe fletëvotimet”, thuhet në një komunikatë të AKR-së.

Sipas komunikatës qytetarët do ta kenë mundësinë të votojnë në vendvotimet të cilat gjenden nëpër zyrat qendrore të AKR-së në të gjitha degët e partisë, si dhe në zyrat mobile nëpër nëndegë.

Vendvotimet do të qëndrojnë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 19:00, ndërsa votimi elektronik mbetet i hapur për qytetarët deri në orën 17:00 të po të njëjtës ditë.

“Aleanca Kosova e Re, i fton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe anëtarësinë e partisë, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar presidentin e AKR-së”, thuhet në një komunikatë për media.