Venecia u shpreh. Çfarë do të bëhet me Vetingun?

12.12.2016 16:27:21

Fjalën e fundit për kushtetutshmërinë e ligjit të Vetting-ut do ta thotë Gjykata Kushtetuese. Kështu është shprehur Komisioni i Venecias në nenin 15 dhe konkluzionet e opinionit të bërë publik, pas disa pyetjeve që kjo gjykatë adresoi në këtë organizëm.

“Komisionit të Venecias nuk i kërkohet të bëjë një analizë të Ligjit të vetting-ut në dritën e legjislacionit të zakonshëm aktualisht në fuqi në Republikën e Shqipërisë, në funksion të një interpretimi koherent e të dispozitave të ligjit, pasi kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese e cila është padyshim e njohur mirë me legjislacionin dhe doktrinën. Është gjykata kushtetuese e Shqipërisë qe ka fjalën e fundit për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë me ligjin”

Sipas Komisionit të Venecias, ndonëse Gjykata Kushtetuese është në konflikt interesi me ligjin e Vetting-ut, ajo nuk mund të përjashtohet nga e drejta për të shqyrtuar nëse ligji është në përputhje me kushtetutën.

“Rrjedhimisht, përjashtimi i gjyqtarëve të Kushtetueses, për shkak te ekzistencës se konfliktit të interesit do të çonte në heqjen totale të mundësisë për të pare nëse ligji i Vettingut është në përputhje me Kushtetutën. Kjo do te minonte garancitë e siguruara për rishikimin funksional të legjislacionit. Kjo situatë mund të konsiderohet nga Gjykata Kushtetuese si një “rrethanë e jashtëzakonshme” që mund të kërkojë largimin nga parimi i skualifikimit në mënyrë që të parandalojë mohimin e drejtësisë.”

Për pyetjen nëse dispozitat ligjore bien ndesh me vlerësimet dhe artikullin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për respektimin e privatësisë së gjyqtareve dhe prokuroreve, në rast kur kërkohet informacion nëse gjyqtari apo prokurori ka patur kontakt me persona të përfshirë në krimin e organizuar, Venecia jep këtë përgjigje:

“Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”.

Sa i përket pyetjes së Kushtetueses nëse me ligjin e vetting-ut rrezikohet pavarësia e sistemit gjyqësor nga përfshirja e organeve nën kontrollin e ekzekutivit gjatë procesit të rivlerësimit të gjyqtareve dhe prokuroreve, “Venecia” në opinionin e saj shprehet se nuk ka ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit.

“Për Komisionin e Venecias, këto tekste ligjore sigurojnë elementë të mjaftueshëm që arrin në përfundimin se Dhoma e Apelit mund të konsiderohet si organi I specializuar ligjor, që paraqet garanci ndaj personave që janë objekt i Vettingut”.

Ajo që vihet re në opinion është se ky komision nuk është shprehur lidhur me pjesën e parë të pyetjes që ishte dhe shqetësim i demokratëve nëse ligji respekton parimet themelore të shtetit ligjor, ndarjen dhe balancimit të pushteteve.