Vërshime në Kopernicë të Kamenicës, banorët rrezikohen nga shembja e shtëpive

26.07.2018 21:10:21

Leutrim Ajvazaj nga fshati Kopernicë i Komunës së Kamenicës thotë për RTV Dukagjini se tash e sa muaj shtëpia e tij është në rrezik për shembje.

Pos kësaj, banori tregon se vërshimet kanë shkaktuar shumë dëme.

“Vështrimet kanë prurë baltë, po shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi, na ka dëmtuar ushqimet e shpezëve, është pengesë shumë e madhe”, shprehet Leutrim Ajvazaj.

Premtimet për zgjidhjen e këtij problemi, Xhevat Ajvazaj i konsideron fjalë boshe.

“Kemi bërë kërkesë edhe te kryetari i mëparshëm, ai na ka dhënë shumë premtime, na ka thënë se ujërat e shiut do t’i qes në rekë. Edhe kryetari aktual na ka thënë se kjo punë është e kryer, por nga atëherë deri më sot ato mbeten vetëm premtime”, shprehet banori tjetër Xhevat Ajvazaj.

E që komuna janë në dijeni të problemit e pohon Hysen Jerliu, zyrtar për qarkullimin rrugor në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

“Na nuk kemi buxhet të veçantë për të zgjidhur këtë problem, sepse problemi mundë të zgjidhet me një buxhet shumë të madh që nuk e kemi të paraparë. Nuk mund të themi se problemi mund të zgjidhjet shpejt”.

Meqenëse sipas tij, gabime janë bërë gjatë hartimit të projektit ku është paraparë vetëm asfaltimi i rrugëve të fshatit dhe jo vendosja e kanalit për ujëra atmosferike, Jerliu thotë se do të bisedoj me kompaninë për një intervenim të mundur.

“Ndoshta ka qenë gabim te hartimi i projektit që nuk është paraparë zgjidhja e një problemi të tillë. Ne duhet të bisedojmë me kompaninë, por nuk garantojmë se mund të kryhet pasi nuk e di ku kanë arritur me përfundimin e punëve”, shprehet më tej Jerliu.

Deri në zgjidhjen e problemit, familja Ajvazaj shpresojnë që muret e shtëpive t’u rezistojnë shembjes