Vesel Haxhijaha, mbi pesë dekada me zanatin e berberit

26.02.2019 20:26:11

Vesel Haxhijaha ishte vetëm 17 vjeç, kur erdhi dhe u punësua në rrojtore.

Prej asaj kohe ai tërë jetën ia ka kushtuar zanatit të berberit.

Me dashuri, përkushtim, e me vullnet të madh ai tashmë është njëri nga berberët më të vjetër në qytetin e Prishtinës.

Ai ka thënë se këtë zanat e ka mësuar në vendlindjen e tij.

“Në Rahovec kam filluar të punoj qysh nga klasa e gjashtë e shkollës fillore. Aty e kam mësuar zanatin. Kam mësuar prej tri vitesh. Pas përvetësimit të zanatit ka qenë kismet që të vij e të punojë në Prishtinë. Prej vitit 1962 kam punuar në këtë vend pa ndërprerë me mjeshtrin e ndjerë që ka qenë nga Gjakova”, tregon për RTV Dukagjinin, Vesel Haxhijaha.

Edhe pse në moshë, dashuria për këtë zanat e shoqëron sot e kësaj ditë.

Me gërshërë në duar, mantelin e vënë, dhe me shoqërinë e muzikës së radios, ai e fillon çdo mëngjes të tij.

“Atëherë ka qenë shumë më vështirë të punosh sepse mjetet kryesisht kanë qenë të dorës. Sot ka shumë teknikë, por ne jemi adaptua me mjetet që kemi pasur. Sa kemi ditur kemi punuar dhe kemi bërë një jetë normale. Profesioni nuk është fitimprurës por një jetë normale e bën”, tregon më tej Vesel Haxhijaha, transmeton Telegrafi.

Duke e parë nga jashtë, shohim vetëm një lokal të viteve 50-ta.

Por duke hyrë brenda, në secilin hap ka një histori për të treguar.

Vesel Haxhijaha ka thënë se nuk kanë bërë asnjë rinovim, për shkak se kanë dashur të ruajë atë pamje antike që ka.

“Nuk kemi ndryshuar shumë gjërat. E dimë se gjërat kanë ndryshuar por ne nuk kemi ndryshuar dhe po u pëlqen edhe klientëve. Pas lufte kemi pasur edhe shumë të huaj dhe na kanë thënë mos ndryshoni se të reja ka mjaft”, tregon i moshuari.

Edhe pse tash nuk ka aq punë si dikur, ai nuk mërzitet.

Së bashku me moshatarët e tij, këtë vend e kanë shndërruar në një vendtakim, ku me nostalgji kujtojnë kohën e kaluar

Vesel Haxhijaha tash është 74 vjeç, dhe pjesën e mbetur të jetës dëshiron të kalojë në këtë vend.