Veseli: Fqinjësia e mirë dhe bashkëjetesa, dëshmi e arritjeve tona në rrugën euroatlantike

22.05.2017 16:01:38
Kryetari Veseli në takim me zëvendëskryeministrin Markoviq ka vënë në pah se Kosova dhe populli i saj çmon vlerat e fqinjëve të vet dhe ka dëshmuar se është e vendosur për respektimin dhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, ashtu siç është i përkushtuar edhe Mali i Zi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin e qeverisë së Malit të Zi, z. Dushko Markoviq. Bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i mirë fqinjësor është vlerë e përcaktimit në rrugën e përbashkët euroatlantike.

Kosova dhe institucionet e saj janë të vendosura të zhvillojnë fqinjësinë e mirë ndërshtetërore në rajon dhe më gjerë, duke respektuar dhe konsideruar pakicat si vlera dhe ura lidhëse në mes të shteteve, ndërsa të drejtat e minoriteteve si vlera universale, theksoi Kryetari Veseli dhe vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimet në rajon në veçanti bashkëpunimin ekonomik.

Markoviq shprehu respekt për punën dhe bashkëpunimin ndërshtetëror, duke theksuar se agjenda e zhvillimit ekonomik mbetet prioritet për rajonin dhe përkushtimin në rrugën e përbashkët të integrimeve rajonale dhe globale. Zëvendëskryeministri malazez konfirmoi përkrahjen e shtetit të tij për rrugëtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian të saj, duke ofruar edhe përvojën e Podgoricës zyrtare në këtë drejtim.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për demarkacionin e kufirit, evidentimin e malaziasve si kategori kushtetuese në Republikën e Kosovës, si dhe bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.