Veseli: Japonia mbështet Kosovën në integrimet ndërkombëtare

13.03.2019 14:44:43

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme u prit në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme i Japonisë, Taro Kono, ku diskutuan për marrëdhëniet bilaterale në mes dy vendeve.


Kryeparlamentari Veseli dhe kryediplomati japonez  theksuan se 11 vjetori i këtyre marrëdhënieve i gjen të dy vendet me nivel bashkëpunimi në shumë fusha, transmeton lajmi.net.

Kryetari Veseli tha në takim se Kosova në këto 11 vite të ekzistencës si shtet është dëshmuar si faktor i paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon, dhe vazhdon të punoj me përkushtim në avancimin e dialogut me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

Ministri i jashtëm japonez, Tari Kono, theksoi se qeveria e tij ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Kosovë.

Në funksion të këtij interesimi është edhe vendimi për hapjen e ambasadës japoneze në Prishtinë, e cila siç u tha në takim nga dy bashkëbiseduesit, do të ndikoj në zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në fushën e biznesit dhe investimeve.

Kryeparlamentari Veseli kërkoi nga ministri japonez që Japonia të mbështes Kosovën në procesin e përfshirjes në organizatat ndërkombëtare dhe nismat tjera globale.

Ministri Kono theksoi se qeveria e tij mban qëndrim proaktiv në këtë drejtim në mbështetje të Kosovës.